A mund të parashikohet ndeshja Derbi? Vite më parë, kur graviteti i kryendeshjes ishte në fushë, dhe jo në shkallët e stadiumit ku ndizen tifozeritë, askush nuk guxonte t’i binte kambanës për të zbuluar fituesin e ndeshjes. Edhe në kohën e “mbretërve” Panajot Pano dhe Ali Mema , kur përballeshin Partizani dhe 17 Nëntori, kishte një rregull të pashkruar, një pakt i “firmosur” nga të dyja palët, sipas të cilit derbi nuk mund të luhet me fjalë, por veç me vepra. Por, kohët kanë ndryshuar aq ndjeshëm, zakonet e futbollit janë varfëruar në vlera, sa edhe derbi mund të tregohet si një film, që e ke parë disa herë..
I madhi Perlat Musta, në kohën e artë të talentit që sundonte portën, nuk do të guxonte kurrë të cënonte “ligjin” e Derbit, duke parashikuar se Partizani do të fitonte duelin më të pabesë të kampionatit. Kurse në kohën e sotme, veterani Musta nuk ka frikë kur shkel “ligjin e derbit” derisa thotë: “ Ndeshjen e fiton Partizani”. Por, ç‘do të thuhej për ish-kapitenin e Tiranës, Nevil Dede, kur në një intervistë na e jep llokum thelbin e ngjarjes zhurmëmadhe, ku Tirana e fitoka betejën jo me një gol apo me dy gola, se nuk mjaftojnë, por me 3 gola! Si ka mundësi kjo “blasfemi parashikuese” kur historia e kohëve të fundit flet vetëm për Partizanin!? Le të lutemi, që lumi i parashikimeve të mos dalë nga shtrati dhe të brofi dikush në orët e mbetura sa të na tregojë edhe emrat e atyre që do t’i shënojnë golat…
Sfidanti. al