Një kartolinë imagjinare për Armando Brojën e “Anglisë”

Le të zbulojmë tekstin e kartolinës imagjinare, me të cilën do të uronim këmbimin e viteve, sulmuesin me shumë fat në Angli dhe me pak fat, ose aspak, në vendin e tij në Shqipëri…Armando Brojën. Tekst i shkurtër në fjalë, por i “gjatë” në përmbajtje :”Ishalla,dhe vjen një ditë, e kuptojnë shqiptarët pse të duan anglezët..” Dhe në një univers të pafund hapësire futbolli, cili sulmues tjetër në rruzull , do të përjetonte dyzimin më enigmatik: të të duan në Angli, ku lind futbolli, dhe.. mos të të duan në Shqipëri, ku zakonisht e “vdesin ” futbollin!

E duan dhe e shpallin midis personazheve të vitit dhe për ato minuta që ka luajtur në Angli me Suathheptonin në Premier Ligë, e braktisin si me porosi nga lart në Kombëtare . Pale në cilën Kombëtare? Një ekip që nuk lodhet prej vitesh,duke provuar nje ushtri me “talente” nga e gjitha bota shqiptare dhe mbyll sytë para të madhit Broja. E shpërfillën me paramendim në ndeshjen në Angli, atje ku ai e dinte më mirë se kushdo, me sy mbyllur, gjuhën e lojës…

Sauthheptoni, fiks këto ditë, ka shpallur 5 ndeshjet më të mira të sezonit, ku Broja në dy raste është “strumbullari” i ndeshjeve. Kurse Kombëtarja jonë ose më saktë ,“babagjyshi i vjetër” Edi Reja , tamam tamam në ditët e fundit të vitit , na ka derguar një kartolinë- intervistë me “mëkatet” e Brojës , pa e vrarë ndërgjegja të zbulojë kryemëkatin e sulmuesit, që zgjodhi Anglinë ( e vogel!) dhe jo Italinë ( e madhe) dhe Udinezen, ekipin që profesor Edi Reja ia kishte servirur si një “pjatë të nxehtë”.. menaxherësh.
Dhe më e bukura…nuk soset habia : Në Angli çuditen se si Shqipëria ka luksin e madh të sulmojë kundërshtarët pa Brojën në sulmin e Kombëtares, kurse këtu tek ne çuditen se si anglezët e Sauthheptonit i japin kaq pak minuta një talenti, që ka lindur për Anglinë dhe jo për…Shqipërinë!

Sfidanti.al