Arbitrat në futbollin tonë vazhdojnë të gabojnë aq shumë, saqë kanë krijuar një situatë konfuze dhe në moment të veçanta të gjithë e kanë të vështirë ta ndajnë, nëse vërshëllimat e tyre qesharake janë të qëllimshme, apo vuajnë nga një paaftësi e dhimbshme. Ndërkohë, meqenëse këtë rit mëkati nuk përtojnë ta bëjnë shpesh janë kthyer edhe në alibi për ata që kanë problem të mëdha me funksionimin e skuadrave të tyre. Pas ndeshjes së humbur kundër Tiranës, drejtuesit e Kukësit morën masën e tyre të zakonshme… gjobotën të gjithë skuadrën. Ndërsa një ditë më pas e shpallën “non grata” arbitrin e ndeshjes, por tashmë nuk kishte më sens që të dyja masat të qëndronin në të njëjtën kohë. Nëse arbitri vendosi rezultatin e takimit, atëherë futbollistët duhet të vazhdonin të paguheshin sipas kontratës. Por e gjithë kjo rrëmujë e sajuar e thelloi krizën tek kukësianët, të cilët nuk e lanë trajnerin të kuptojë situatën, por më pas e larguan me një shprehje fyese: Boll e duruam! Verilinjdorët mbeten skuadra më e mirë, por ky përcaktim do të ishte i besueshëm vetëm nëse do të ishin skuadër dhe jo një grup futbollistësh vërtetë të talentuar, të cilët në të njëjtën kohë janë të dashuruar me veten. Mjafton të ndjekësh me vëmendje një ndeshje të tyren dhe mund të vësh re lehtësisht, se si një pjesë e këtij ekipi e shpenzon çdo minutë, për të treguar se çfarë dinë të bëjnë individualisht, megjithëse ne këtë e dimë, mjafton t’u lexojmë emrat që mbajnë mbi shpinë. Kjo ndoshta duhej riparuar, për të mos humbur kontaktin me Tiranën dhe jo të largohej Shpëtim Duro, aq më pak me lodra fjalësh, si të ishte një kërkim gazetaresk për të sajuar ndonjë titull të goditur.
Ndërsa drejtuesit e Partizanit janë ankuar aq shumë për arbitrat në këtë sezon, madje duke lënë pas edhe periudhën kur Federata i kishte shpallur luftë të hapur. Çdo javë gjendet një emër i përvetshëm arbitri që meriton “burgun”, ndërkohë që kampionët gjithnjë e më shumë po tregojnë regres në fushën e lojës. Në fakt, ata treguan se si mund të prishnin vetë në një kohë rekord, një skuadër të ngritur me punë të jashtëzakonshme në një periudhë relativisht të gjatë. Disave u lindi ideja brilante e çmontimit të një grupi kampionësh dhe e bënë presidentin të investonte në futbollistë shumë të kushtueshëm, por që rezultuan thjeshtë blof. Këtu nuk është çështje trajnerësh, por Braun e Solomon që nuk kanë fare konfidenca me golin… Dhe më e këqja është, se këta nuk janë problem i vetëm.