Ky i fundit do ta humbasë derbin e kësaj fundjave në Premier Ligë në “Old Traford”. Nuk ishte ndeshja e duhur që Kevin De Brujni të mungonte, por trajneri i tij, Pep Guardiola, deklaroi se mesfushori belg ka problem në shpinë dhe nuk dihet sesa do të mungojë. “Ai u rrëzua keq (ndaj Aston Vilës), – tha Pepi, – dhe nuk di të them sesa do të mungojë”. Mos ndoshta rrezikon edhe në Champions ndaj Realit? Guardiola nuk dinte të përgjigjej dhe mbetet të shihet.
Ndërkaq, trajneri katalanas pati edhe kënaqësi, por edhe polemika në ndeshjen e Kupës së Anglisë. Nuk ishte e lehtë në stadiumin e Shefild Uensdit, sepse skuadra e kategorisë së dytë luftoi fort, aq sa ekipi i Guardiolës nuk pati asnjë gjuajtje në kuadrat në 45 minutat e para. Për fat, në fushë ishte Sergio Aguero që shënoi golin e vetëm të ndeshjes. Ai vazhdon me rekordin e rrjetave në klub, duke pasur 254 gjithsej në 367 ndeshje. Gjithsesi, ai pati një debat të nxehtë me Guardiolën kur e zëvendësoi. “Ai është një trajner shumë i mirë dhe i çmendur”, – ishin komentet e Agueros.
Pas fitores së Kupës së Ligës, “qytetarët” hodhën një tjetër hap për të ruajtur dominimin e tyre në trofetë shtëpiakë. Suksesi minimal, por i merituar në fushën e Uensdit bëri që Siti të sigurojë një udhëtim në fushën e Njukasëllit në çerekfinale, duke qenë si gjithnjë favoritë për kualifikim, edhe pse do të luhet në “Sent Xhejmsis Park”.
Sfidanti.al