Real Sociedad, magjia baske nuk lejon mrekullinë në finalen e Kupës!

Më mirë të themi që mrekullinë e dëshiron për vete, dhe do të ketë shans ta provojë kur të luajë ndeshjen fundore të këtij kompeticioni. Real Sociedad, skuadra baske nga qyteti i San Sebastianit, u kualifikua për herë të 7-të në historinë e saj në finalen e Kupës së Mbretit në Spanjë, duke mos lejuar mrekullinë e quajtur Mirandes. Skuadra e vogël do të kishte qenë e para e kategorisë së dytë në finale që nga 1980, pra që prej 40 vjetësh. Sociedadi arriti një fitore të vogël 1-0 jashtë fushe, dhe gjithashtu realizoi diçka të veçantë pasi i mungonte finales që prej 32 vjetësh, kur në 1988 u mund nga Barcelona.

Baskët janë një nga skuadrat historike të kompeticionit “mbretëror”, pasi kanë dalë në finale për herë të parë në 1909, madje duke e fituar Kupën. Për herë të fundit, suksesi ka qenë në 1987, nën drejtimin e trajnerit uellsian Xhon Toshak, ish-legjendë e Liverpulit. Sociedadi fitoi minimalisht me gol të shënuar me penallti nga Ojarzabal, ndërsa kishte fituar 2-1 edhe ndeshjen e parë. Në radhët e fituesve shkëlqeu Adnan Januzaj, shqiptari nga Kosova që ka luajtur për Belgjikën, e po ashtu ish-lojtari i Realit, Odegard. Të mos harrojmë se Sociedadi eleminoi më herët nga Kupa vetë Realin e Madridit duke e mundur në “Bernabeu”.

Sfidanti.al