E mbajmë apo nuk e mbajmë mend ndeshjen e fundit me Serbinë në “Elbasan Arena”? Edhe sikur të harrojmë rezultatin apo stilin me të cilin i thithëm golat, si mund të harrohet “gjimnastika’ që iu bëmë tifozëve tanë. Atë ditë u hap “kutia pandorës” dhe të këqiat dolën si me porosi : orë të tëra në radhë për të hyrë në stadium, edhe shiu si me porosi, tifozët u zhveshën dhe u veshën para se të hynin në stadium, pastaj si “qershia mbi tortë” ishte ndeshja, ku pësuam dy gola për meritë të tyre, por edhe.. tonën!
Dreqi ta hajë : Po vjen prapë Serbia! Dhe më shumë kemi frikë nga çmimi i biletës, si ta gjesh te shkretën, çfarë emri t’i vëmë kësaj ndeshjeje sportive apo politike, pastaj në fund sebepi që na mblodhi … ndeshja. Ndaj edhe në stadium ka shumë tifozë të panjohur, pasi në tribunën kryesore nuk ka më legjenda të futbollit, veçse “legjenda qeveritare”. Qaset ai lloj tifozi që vjen rrallë e për mall në stadium, por që kurrë nuk del i humbur nga ndeshja, sado që të dalë rezultati. Ata fitojnë gjithmonë sepse në këto lloj ndeshjesh është si në Olimpiadë “mjafton të marrësh pjesë” dhe nuk ka rëndësi të madhe rezultati !
Sfidanti.al