Donnarumma, kontrata drejt skadimit, Bayern e Real Madrid në pritje

Gianluigi Donnarumma ka qenë një nga heronjtë e fitores historike të Paris Saint-Germain në finalen e Champions League ndaj Interit, por pas triumfit të madh në “Allianz Arena”, portieri italian la pas vetes një deklaratë që ka ndezur zërat e merkatos në gjithë Evropën: “Nuk e di nëse do të qëndroj. Do ta shohim në ditët në vijim.” Me kontratën që i skadon në verën e vitit 2026 dhe asnjë shenjë për rinovim, e ardhmja e Donnarummës në Paris është vënë seriozisht në pikëpyetje. Edhe pse fitimi i Champions-it përmbushi misionin për të cilin ai la Milanin katër vite më parë, duket se cikli i tij me PSG-në mund të mbyllet. Kritikat që ka marrë ndër vite dhe dëshira për objektiva të rinj duket se po e shtyjnë drejt një tjetër aventure. Sipas mediave italiane, interesimi për të është i lartë. Bayern Munich, që përgatitet për të zëvendësuar Neuerin, dhe Real Madrid, që kërkon pasuesin e Courtois, janë dy nga gjigantët që e kanë futur në listë. Nuk përjashtohen as klubet e mëdha të Premier League, ku Donnarumma gëzon një reputacion të madh. Por PSG mund të vendosë ta mbajë deri në skadimin e kontratës, siç ndodhi me Mbappé-në, i cili u largua verën e kaluar pa sjellë asnjë të ardhur në klub. Një situatë e ngjashme me atë të Milanit, kur Donnarumma u largua pa rinovuar, mes polemikave dhe fërshëllimave.

sfidanti.al