Dikur mburreshim se dhunën e kopisim aq mirë në futbollin tonë, sa kur ajo tregon dhëmbët e vdekjes, heronjtë tanë që mbërrijnë në spitale, nuk dalin nga zyrat por nga proletarët e fushës. Aq të gatshëm ..sa hiqen shpejt fashot nga koka, të tillë heronj që e bëjnë kokën gati për dhunën e ardhshme. Edhe në kohën e Covidit , futbolli “superior në vese” , që s’njeh sens mase , jo vetëm nuk vetkontrollohet , por shkërmoq të gjitha rregullat anticovid , duke shitur numër rekord biletash, në vend që të shisnim numër rekord ..maskash!
U mburrëm me Poloninë deri në atë pikë sa orgazma e shefave për biletashitje arriti kulmin me deklaratën e presidentit : “Sikur të kishim një stadium me 220 mijë vetë, atëherë do t’i plotësonim kërkesat për ..bileta”! Imagjinata , ndofta më shumë grykësia, kapërceu edhe orbitën e stadiumeve më të bollshëm të rruzullit .. “Wembly” apo “Marakana”. Dhe ka një shpjegim kjo patologji babëzie : në një futboll të lirë për nga çmimi i garës, vazhdon të tregohet bukur përralla me top, ndaj bileta sa vjen e shtrenjtohet.. kur shfaqja i ngjan krizës!
Edhe në “Derbin”, Tirana përballë Partizanit, paskemi thyer rekorde në thithjen e parave ,(askush nuk mburret me rekordin e zi , që ekipet nuk gjuanin dot në portat e kundershtarit) pasi këtë herë urdhëri nga lart ishte më pak makut : shisni bileta deri në 75% stadiumit! Kjo, sepse klubet nuk mund të bëjnë “vezën e artë” , atë me dy të verdha, të Kombëtares. Thonë se vetëm Derbi dhe Kombëtarja e tundin dhe e shkundin tokën tone të futbollit, kështu do të thuhet edhe më tej, pasi duhen vite te kuptojmë kolektivisht se loja e vërtetë nuk është ajo e fushës, por ajo me ..biletat!
Sfidanti.al