Italia kampione e Europës, këtë herë fitoi skuadra më e mirë!

Futbolli është i tillë, që ke fat kur nuk e meriton, por ndodh të kesh gjithashtu edhe kur duhet të jesh fituese. Italia i provoi që të dyja këto momente në të njëjtin turne, duke u shpallur kampione e Europës, me një finale që e meritoi ta bënte të vetëm ndaj Anglisë, dhe me një gjysmëfinale për t’u harruar kundër Spanjës. Me gjasë, futbollistët e trajnerit Roberto Mançini patën më shumë përvojë, ndoshta trajneri i tyre u tregua më i zoti atëherë kur duhej, apo mund të ketë qenë edhe dëshira e një vendi të madh futbolli për të fituar një titull europian pas humbjes së dy finaleve në vitet 2000 e 2012. Të gjitha bashkë besohet ndikuan në një finale që Italia e nisi shumë keq, por e luajti mjaft mirë.

Ljuk Shou shënoi golin më të shpejtë në një ndeshje të tillë, por të kaltrit dalë nga dalë fituan besim, treguan klasin individual dhe kombinimet taktike e lëvizjen pa top. Trajneri anglez, Sauthgejt, u kthye në një “Murinjo”, por pa mundur të siguronte kundërsulmin e rrufeshëm të ekipeve të portugezit si Çelsi, Porto apo Interi. Kjo bëri diferencën, me anglezët që ia lëshuan shumë iniciativën kundërshtarit, ndoshta edhe për meritë të këtij të fundit. Bonuçi barazoi, ndërsa tek penalltitë pati shumë gabime. Donaruma priti dy herë, po aq Pikfordi, por anglezët u treguan më shumë të pasaktë. Rashford, Sanço dhe Saka nuk shënuan dot, ashtu si Beloti dhe Jorginjo për të kaltrit.

Italia mbajti topin 66 për qind, pati 19 gjuajtje drejt portës ndaj vetëm 6 të vendasve, dhe 6 në kuadrat ndaj 2 të “tre luanëve”. Anglezët patën më shumë goditje nga këndi, ndërsa italianët bënë më shumë ndërhyrje të parregullta.

Italia (4-3-3): Donaruma, Di Lorenco, Bonuçi, Kielini, Emerson (Florenci 118’), Barela (Kristante 54’), Jorginjo, Verrati (Lokateli 96’), Kieza (Bernardeski 86’), Imobile (Berardi 55’), Insinje (Beloti 90’). Tr. Mançini

Anglia (3-4-2-1): Pikford, Uolker (Sanço 120’), Stouns, Megajer, Tripier (Saka 71’), Filips, Rajs (Henderson 74’ (Rashford 120’)), Shou, Stërling, Maunt (Grelish 99’), Kejn. Tr. Sauthgejt

Sfidanti.al