Çfarë spektakli na panë sytë jo aq me ndërrimin e viteve, se me ndërrimin e trajnerëve të Kombëtares. I kemi dhënë një leksion gjithë “botës së futbollit” se si largohet i lumtur trajneri i shkarkuar, “babagjyshi” i vjetër i stolit, Edi Reja dhe në vendin e tij, ulet , pak si i trembur, braziliani Silvinjo. Po kujt i shkoj në mëndje që trajnerët e Shqipërisë, tamam si në një stafetë atletike, t’i dorëzojnë..Kombëtaren njëri –tjetrit?
Sigurisht, regjizori nuk ishte ai i vjetri, pra presidenti Duka, i cili në filmat e tij na ka mësuar se trajneri vritet në fund, pa patur mundësi të na jap dorën si Edi Reja. Regjizori këtë herë vjen nga politika, është vetë kryeministri Rama, të cilit presidenti Duka, me hir dhe me pahir, i ka dorëzuar lojën më mikluese të pushtetit të tij…gjetjen e trajnerit të Kombëtares!
Me ndryshimin e regjizorit kuqezi,do të ketë ndryshim edhe skenari i largimeve! Do të ketë ndeshja të pabesa, por jo pabesi ndaj..trajnerit! Nuk do të ketë më tradhëtira të klasit të lartë siç ndodhi me Panuçin në Shkodër, ku Kombëtarja e dorëzoi “kalanë e Rozafës” tek turqit me 3 gola , tamam si tek legjenda kur vëllai tradhëtoi vëllain.
Jemi mësuar me tradhëtira dhe përralla pikante, ndaj le ta pranojmë edhe frazën e fundit që na la kujtim Reja:“ Kur e pashë Shqipërinë për herë të parë në Shkodër, vura duart në kokë dhe thashë me vete, çfarë dua unë këtu..” Kishte 1000 ndeshje në Serinë A dhe nuk kuptoi asgjë profesori nga teatri që u kurdis atë natë që ai te zaptonte stolin e Panuçit…!
Sfidanti.al