Vlerësime shumë të mira për Kristjan Asllanin!

Mesfushori shqiptar ishte një nga lojtarët më të dalluar të Interit në fitoren e vështirë ndaj Parmës (2-1) në Kupën e Italisë. Mediaset i jep notën 7 duke e shoqëruar vlerësimin me disa nga aksionet më të spikatura të mesfushorit shqiptar. Faqja e tifozëve zikaltër, “FC Inter 1908” jep gjithashtu një karakteristikë shumë të mirë: i vetmi në mesfushë që mori përgjegjësi, teknikë e lartë në këmbë, nisi aksionin e golit të Lautaros. Nota 7. “Pasione Inter” i jep gjithashtu 7: Shumë pasime që tejkalojnë mbrojtjen kundërshtare, provon me të djathtën e me të majtën, nga topi i tij i gjatë për Xhekon lindi goli i barazimit. Virxhilio Sport i vendos notën 6, ndoshta jo shumë e lartë, por ndër më të mirat për Interin në një mbrëmje të vështirë:  Regjisor jo i shpejtë, por punon mirë dhe ka saktësi. Eurosport thekson se shqiptari është shumë punëtor, ndonëse nuk arrin të kryejë aksionet vendimtare. Nota është 6.

Sfidanti.al