Suksesi 3-0 nuk la vend për diskutim edhe pse trajneri u detyrua të bënte rotacion. Erik Ten Hag u dha shansin lojtarëve të rinj për sfidën e Kupës së Ligës (Karabao) në “Old Traford” ndaj Çarlton Atletikut. Natyrisht, kundërshtari nuk ishte nga më të fortët, por edhe shumë nga futbollistët në fushë nuk kishin përvojë si Kobi Mainu, Alehandro Garnaço apo Fakundo Pelistri. Mainu, 17-vjeçar, bëri debutimin, ndërsa mediat angleze theksojnë se ai ishte vetëm 1 vjeç kur Junajtidi luajti për herë të fundit me Çarltonit deri para mbrëmjes së kaluar. Garnaço, 18 vjeç, shkëlqeu fort duke i krijuar shumë probleme rivalëve, ndërsa Pelistri (21 vjeç) shërbeu një asist në vetëm 10 minuta aktivizim. Antoni shënoi golin e parë në 21’, Rashford të dytin në 90’ dhe sërish Rashford në minutën e katërt shtesë. Siç e tregojnë minutat, fitorja nuk ishte e lehtë, ndërsa në fushë ishin edhe portieri Hiton, apo Malasia dhe Elanga.
Sfidanti.al