Dënime të gjata dhe shpërngulje masive, ja si filloi Superiorja në javën e tetë…

Futbolli filloi më në fund zyrtarisht nën entiziazmin e përfundimit të një pritje të gjatë, ndërkohë që starti ishte tipik shqipëtar. Pas përfundimit të bojkotit, duket se edhe solidariteti  grevistëve me ideatorët e FSHF-së mori fund. Komisioni i Disiplinës u mblodh për të dhënë 18 javë dënime për futbollistë të veçantë, kryesisht për incidente të ndodhura në ndeshje miqësore, por edhe ato i kishin seleksionuar. Gjatë kësaj periudhe pati edhe ndërprerje takimesh për shkak të ashpërsisë ekstreme të protagonistëve, por që nuk u bënë objekt  këtij komisioni. Pra, tani nuk ka më prononcime të përbashkëta FSHF – Ligë, por projekte individuale, për t’i bërë sa më të thjeshta verdiktet e sezonit.

Ndërsa kjo pritje për t’u futur në garë, nuk shërbeu as për të filluar një kampionat normal. Në këtë vend ku investimet në sport shoqërohen me një histeri mediatike, nuk po gjenden fusha as për ndeshjet më të rëndësishme, madje opsionet e pranuara janë shumë humoristike. Tirana e priti Kukësin në Korçë, ndërsa për javën e ardhëshme ka pronotuar stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit për të qenë vendase dhe ku për ironi do të presë pikërisht Teutën. Ndërkohë që Kukësi – Partizani do të luhet në Shkodër. Egnatia e Rrogozhinës – Lushnja, dy rivalet e Kategorisë së Parë do të ndeshen në Peqin, Dinamo tashmë është e Pezës, ndërsa Luftëtari nuk do të luajë askund, pasi në Gjirokastër u kanë mbaruar lekët dhe kështu që pas 94 vjetësh, për herë të parë nuk do të kenë më një skuadër futbolli me këtë emër.

Dhe e fundit që ra në sy në këtë start të çuditshëm, ishte fakti që skuadrat kanë humbur shumë kohë për të stabilizuar formacionet e tyre. Të mërkurën duhet të luhej java e tetë e Superiores, ndërsa disa prej ekipeve që zbritën në fushë dukej sikur ishin në ditët e para të fazës përgatitore. Futbollistët e ardhur nuk janë integruar ende me ekipet e tyre, gjë që mund të dallohet lehtësisht, pa pasur nevojë për një sy të mprehtë dhe që të bën të kuptosh, se bojkoti ishte një premtim financiar dhe në të njëjtën kohë një katastrofë teknike.