Mbas PSZH-së, Mançester Junajtidin e pret një duel tjetër mjaft i vështirë, kësaj here në çerekfinale të Ligës së Kampioneve (LK), ku shorti e vendosi atë përballë Barcelonës.
Sigurisht, duke pasur parasysh performancën e kohëve të fundit të klubit katalonjas, Barcelona është favorite kryesore që të kualifikohet për në gjysmëfinale të LK-së, por, sidoqoftë, kur është fjala për Junajtidin, asgjë nuk mund të thuhet me siguri. Para hedhjes së shortit, mediumet spanjollë shkruanin se Barcelona donte si kundërshtar në çerekfinale pikërisht Junajtidin, duke qenë se e konsideronte atë si një nga më të dobtit në këtë fazë të LK-së, por, sidoqoftë, tani klubi katalonjas duhet ta provojë këtë në fushë më 9 prill në Angli dhe 16 prill në Katalonjë.
Sigurisht që tifozët e “djajve të kuq” nuk mbeten imunë ndaj asaj që shkruan media spanjole dhe, duke pasur parasysh edhe faktin se UEFA e ndërroi, për arsye sigurie, radhën e dy ndeshjeve mes Barcelonës dhe Junajtidin, duke përcaktuar se ndeshja e parë do të zhvillohet në “Old Trafford”, ata deklarojnë se, sido që të jetë, Junajtidi do ta mposhtë UEFAlonën, duke kombinuar emrat e “shtëpisë” evropiane të futbollit dhe të Barcelonës.
Sfidanti.al