Klose po zgjon një gjigant të fjetur të futbollit gjerman

Miroslav Klose po ndërton një karrierë premtuese si trajner, duke synuar rikthimin e Nurembergut në elitën e futbollit gjerman. Ish-sulmuesi legjendar, dikur golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës, po zhvillon sezonin e tretë në drejtimin e skuadrës që militon në Bundesliga 2, ku ka vendosur në qendër të projektit talentet e rinj.

Historia e Kloses është e veçantë. I lindur në Poloni, në kohën e regjimit komunist, ai u transferua në Gjermaninë Perëndimore në moshën tetëvjeçare. Babai i tij, Josef, kishte qenë futbollist profesionist dhe kishte luajtur edhe për Auxerre. Megjithatë, rruga e Miroslavit drejt futbollit elitar nuk ishte e lehtë. Përpara se të bëhej profesionist, ai u formua si marangoz dhe luajti në nivelet amatore.

Në karrierën si futbollist, Klose veshi fanellat e Kaiserslauternit, Werder Bremenit, Bayernit dhe Lazios. Kulmin e arriti me Gjermaninë, duke u shpallur kampion bote në vitin 2014, në moshën 36-vjeçare. Në atë turne kaloi rekordin e Ronaldos për golat në fazat finale të Botërorit, gjatë fitores historike 7-1 ndaj Brazilit. Më pas, rekordi u tejkalua nga Lionel Messi dhe Kylian Mbappe. Klose e mbylli karrierën si golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares gjermane, me më shumë se 300 gola në nivel klubesh dhe përfaqësuesesh. Pas tërheqjes nga futbolli, ai nisi një rrugëtim të ri. Punoi me ekipet e moshave te Bayerni, ishte ndihmës i Hansi Flick dhe drejtoi edhe Rheindorf Altach në Austri, përpara se të merrte drejtimin e Nurembergut në vitin 2024.