Siti, Junajtid dhe Çelsi, tri histori të ndryshme në Premier Ligë!

Duhej të ishte një tjetër ndeshje konfirmimi, por ndodhi e kundërta. Mançester Junajtid për momentin duket më pak pretendent për titull në Premier Ligë, pasi pësoi humbjen e rëndë dhe të papritur në fushën e Hadërsfildit. Skuadra modeste u dha një lumturi të madhe tifozëve të saj, pasi arriti suksesin e parë ndaj “djajve të kuq” në 65 vjet, ndërsa Zhoze Murinjos u dha një goditje që ndoshta do ta mbajë mend gjatë.

Aron Muj dhe Loren Depuatre shënuan golat për Hadërsfildin, në minutat 28 e 33, diçka e habitshme për mbrojtjen zakonisht të fortë të skuadrave të Murinjos. Goli i Markus Rashfordit në pjesën e dytë nuk e ndryshoi dot situatën, ndërsa Junajtid mbeti 5 pikë prapa kryesueses Siti, që ka edhe golaverazh me +10 gola më të mirë. Ndoshta, për herë të parë në karrierë, Murinjo nuk do të arrijë ta fitojë titullin në sezonin e dytë me skuadrën e tij të radhës.

Mançester Siti është favoriti pa asnjë diskutim, edhe pse asgjë nuk është e sigurt dhe e vendosur në futboll, derisa ta përcaktojë matematika. Formacioni i Pep Guardiolës nuk e ndjeu edhe aq lodhjen e mesjavës ndaj Napolit në Champions, duke fituar pastër 3-0 ndaj Bërnlit. Në “Etihad”, shënoi me penallti Sergio Aguero që u kthye nga dëmtimi, ndërsa pas pushimit realizuan Otamendi dhe Leroi Sane.

Histori jo shumë e ngjashme, por sidoqoftë pozitive, ajo e kampiones në fuqi, Çelsit. Pavarësisht tronditjes për shumë e shumë minuta, blutë e Londrës fituan 4-2 ndaj Uatfordit. Pedro shënoi shumë bukur të parin gol, por pastaj miqtë përmbysën rezultatin me rrjetat e Dukurit dhe Pereirës. Antonio Konte ndërhyri, hodhi në fushë Baçuain në vend të Moratës dhe kjo doli lëvizja fituese. Baçuai shënoi dy gola, ndërsa mbrojtësi Azpilikueta një tjetër për fitoren e arritur në 3 minutat e fundit. Në renditje Siti ka 25 pikë ndaj 20 të Junajtid, ndërsa Çelsi është në vendin e katërt, pas Totenhemit, me 16 pikë.

Sfidanti.al