Firmë për 1 milionë euro në sezon, Strakosha rinovon me Lacion!

Në jetë ndodh edhe kështu, ndaj duhet durim. Dhjetë herë më shumë rrogë do të marrë Tomas Strakosha tek Lacio, duke nisur që tani. Portieri i kombëtares shqiptare rinovoi kontratën me klubin e Serisë A dhe paraqitja e tij shumë e mirë u shpërblye.

Njëzetedyvjeçari do të fitojë një rrogë afërsisht 1 milionë euro në sezon në një marrëveshje që vlen deri në vitin 2022, në krahasim me 100 mijë euro në vit që e kishte pagën deri tani. Vlerësim i shkëlqyer, por i merituar për një djalë të ri që erdhi pa pretendime nga Greqia, por që priti momentin e tij. U ndihmua nga largimi i Etrit Berishës tek Atalanta, ndërsa e fitoi bindshëm konkurrimin me titullarin e padiskutuar, Federiko Marketi.

Mediat italiane vlerësojnë lart jo vetëm Strakoshën, por edhe drejtorin sportiv të Lacios, Igli Taren, i cili vitet e fundit ka bërë goditje të mëdha. Portierin e mori me parametër zero në vitin 2012 nga Panioniosi, ndërsa tani kartoni i tij ka kapur shifra të rëndësishme. Rinovim kontrate edhe për Çiro Imobilen, sulmuesin më të mirë italian të momentit. Sulmuesi 27-vjeçar, i marrë nga Tare vetëm për 9.5 milionë euro nga Sevilja, do të përfitojë rreth 3 milionë euro në vit.

Sfidanti.al