Informacioni i gazetës “Gazeta delo Sport” se Federata e Futbollit të Kroacisë ka biseduar me trajnerin italian, Karlo Ançeloti, që ky i fundit të marrë detyrën e trajnerit nr.1 të Kroacisë, ka jehuar gjatë këtyre fitëve të fundit në Evropën e futbollit. Megjithatë, ky lajm u hodh poshtë nga njeriu nr.1 i federatës kroate, Davor Shuker, që mohoi se federata që ai kryeson, ka kontaktuar me Ançelotin.
“Jam i zhgënjyer që një medium me kaq prestigj në botë, si ‘Gazeta delo Sport’, bëhet burim i lajmeve të tilla që, zakonisht, i publikojnë gazeta më pak të respektuara që më shumë vihen në kërkim të lajmeve sensacionale. Ne nuk kemi zhvilluar bisedime me Ançelotin dhe as nuk kemi në plan që të takohemi me të. Trajneri ynë, Zllatko Daliç, dhe të gjithë ne jemi përqëndruar, plotësisht, të ndeshja e ardhshme play off e Kupës së Botës me Greqinë”, tha Shukeri.