Mladen Milinkoviç dihej që ishte trajner i mirë. Drejtuesi serb i Kukësit, gjithsesi, e pati shumë të vështirë fillimin dhe u desh java e 7-të që në fushë të dukej skuadra e vërtetë e tij. Suksesi 3-0 në ish-qytetin e tij, Gjirokastër, dhe ndaj ish-ekipit të tij, Luftëtarit, ishte prova e qartë për këtë.
Pavarësisht fatit në krah (vendasit goditën dy herë shtyllat), sërish askush nuk mund të dyshojë për forcën e kuksianëve të Milinkoviçit, sidomos tani që kanë dy sulmues për ta dërguar topin në rrjetë, Elis Bakajn dhe Alijevin.
Për momentin, Kukësi është barazuar me pikë me Skënderbeun favorit, nga 16 secili, dhe padyshim pretendimet janë për ta fituar titullin, pavarësisht vështirësisë. Presidenti Gjici me siguri duhet të ketë mbetur i kënaqur, dhe nuk do të kërcënojë me mospagim të rrogave, por më shumë të kënaqur duhet të kenë mbetur tifozët kuksianë.
Nota e vetme negative e sezonit deri tani është humbja me Skënderbeun, por edhe pse ajo ndodhi në “Zeqir Ymeri”, sërish shanset janë që situata të ndryshojë për mirë. E rëndësishme është që Milinkoviç tashmë ia ka marrë dorën skuadrës së re dhe sidomos presionit më të madh që ekziston te kampionët, në krahasim me Luftëtarin.
Gjithsesi, përveç Skënderbeut e Kukësit, dhe përveç Partizanit që po rikthehet, Superliga ka edhe Laçin, ekipin e rezultateve të papritura. Nën drejtimin e trajnerit Mezani, kurbinasit fituan sërish, këtë herë 3-0 në “Roza Haxhiu” ndaj Lushnjës duke dalë në vendin e tretë. Disfata solli edhe dorëheqjen e trajnerit lushnjar, Bano, që deklaroi se nuk e meritonte këtë stres.
Sfidanti.al