Napoli-Inter, batuta e Spaletit: Sarri mund të ishte ministër ekonomie!

Përballja e madhe është sonte në 20:45, ndërsa jashtë fushe është luajtur kushedi sesa herë. Napoli pret Interin në kryendeshjen e javës së 9-të të Serisë A, dhe parashikimet janë të vështira për t’u bërë. Më e lehtë me batutat, ku çmimin e parë këtë herë e fiton Luçiano Spaleti. “Unë kam fituar vitin e kaluar në Napoli, por gjithsesi flitet për një “arrë” shumë të fortë, dhe duhet të jemi në maksimum, – thotë ai, – Napoli, hera-herës, duket përsosmëri dhe në 2-3 vitet e fundit edhe kur është mundur, nuk ka qenë më keq se kundërshtari”.

Pastaj batuta për trajnerin rival. “Nëse Sarri nuk do të ishte bërë trajner futbolli, por do të kishte vazhduar si llogaritar, tani ndoshta do të ishte bërë ministër i ekonomisë”. Vetë Sarri është më shumë i shqetësuar për kalendarin. “Në ligën tonë të futbollit nuk i kanë menduar mirë këto punë, – tha ai, – nuk është e drejtë që të luajmë me Interin pak ditë pas ndeshjes dhe udhëtimit me Sitin”. Sari kurseu dy nga lojtarët e tij Alan e Zhorzhinjo për t’i ruajtur për Interin, ndërsa në Angli luajtën Diauara dhe Zielinski. Problemi më i madh është Lorenco Insinje që mbetet në dyshim.

Sfidanti.al