Barcelona, edhe në ndeshjen e tretë të Ligës së Kampioneve (LK), arriti fitore (3-1) ndaj Olimpiakosit grek, megjithëse, nga min. e 42-të, ajo luajti me 10 lojtarë mbas nxjerrjes jashtë me karton të kuq të Zherar Pikes. Më i miri në këtë ndeshje ishte përsëri Lionel Mesi që shënoi një gol dhe i dha pasim për gol Lukas Dinjes.
Mesi, në këtë ndeshje, tërhoqi vëmendjen e publikut, për shkak të një detaji interesant në min. e 10-të të ndeshjes. Kamerat kapën momentin, kur futbollisti argjentinas u përkul, nxori nga getat një tabletë dhe e futi në gojë! Duket se ajo veproi, pasi, më vonë, Mesi shënoi golin e tij të 100-të në konkurrimet evropiane!
“Nuk e pashë se mori ndonjë tabletë, por, nëse kjo është arsyeja që ai shënoi gol, atëherë, le të marrë edhe disa të tjera”, tha, duke qeshur, mbas ndeshjes, trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde. Sigurisht që situata, kur një nga lojtarët më të mirë në botë nxjerr pilulë nga getat dhe e gëlltit në mes të ndeshjes, tërhoqi vëmendjen e publikut, duke shkaktuar edhe spekulime të shumta në media. Sidoqoftë, në fund doli se bëhej fjalë për një tabletë glukoze që sportistët e përdorin për të ulur tensionin e muskujve.
Sfidanti.al