Jup Hainkes ka në stolin e Bajernit të Myhut jo më shumë se një javë, por, qysh tani, po ndjehet ndryshimi. Bavarezët kanë shënuar dy fitore me një rezultat të përgjithshëm 8-0. Gazeta e njohur “Bild” ka zbuluar gjashtë rregullat që po aplikon trajneri gjerman me përvojë, me synimin që ta fusë ekpin bavarez në rrugën e vjetër të lavdisë:
Kufizimi i përdorimit të celularëve
Futbollistëve u ndalohet prdorimi i smartfonëve gjatë ngrënies dhe masazheve.
Përpikmëria
Hainkesi konsideron se përpikmëria është shumë e rëndësishme, kur futbollistët vijnë në stërvitje, largohen prej saj, shkojnë për të ngrënë në restorant, kur shkojnë për të fjetur, etj. Kur trajner ishte Karlo Ançeloti, rregulla të tilla të përcaktuara nuk kishte.
Pastërtia
Trajneri 72-vjeçar i përmbahet shumë pastërtisë dhe, po ashtu, u kërkon edhe futbollistëve që t’i mbajnë të pastër dollapet në dhomën e zhveshjes, madje që t’i pastrojnë ato përditë.
Sjellja
Pavarësisht se me kë komunikojnë, me bashkëlojtarët, anëtarët e kryesisë së klubit ose me pastrueset, futbollistët duhet të sillen me kortezi dhe respekt.
Pa grupe në ekip
Hainkesi u ka ndaluar futbollistëve që të ndahen në grupe të caktuar në dhomën e zhveshjes, pasi atmosfera është e mirë vetëm, kur kolektivi është i fortë.
Të gjithë bashkë në restorant
Futbollistët duhet të hajnë në restorant të gjithë së bashku mbas stërvitjeve.
Sfidanti.al