Ishte një ndeshje tepër e rrezikshme, ndaj një rivali në formë dhe në kushte të vështira atmosferike. Natyrisht dëbora dhe i ftohti i prishin punë njësoj të dy ekipeve në një ndeshje futbolli, por më shumë një ekipi “artistës” si Mançester Siti sesa një skuadre “gladiatorësh” si Uest Hemi. Gjithsesi, ndeshja e Premier Ligës u fitua 2-1 falë golave të Ilkaj Gyndoganit dhe Fernandinjos fare në fund, ndërsa pak më vonë shkurtoi diferencën Manuel Lanzini. “E patëm shumë të vështirë, – tha Pep Guardiola pas ndeshjes, – sidomos kushtet e pjesës së parë ishin shumë të vështira, ndërsa ne ishim të lodhur edhe nga sfida ndaj PSG-së që kërkoi shumë energji. Gjithsesi, ne krijuam shumë raste, aq sa unë u habita. Duhej të kishim shënuar 3-4 gola. Të mos harrojmë sesa rival i fortë është Uest Hemi”. Siti u ngjit në kuotën e 29 pikëve, një mbi Liverpulin në renditje, ndërsa londinezët e trajnerit Dejvid Mojes mbetën në vend të katërt me 23 pikë, po aq sa Arsenali “i rilindur”.
Sfidanti.al