Kur fiton në një Arenë të tillë, padyshim që e vërteton se je pretendent i madh. Të tillë basketbollistët e Feniksit që triumfuan në një nga ndeshjet më të vështira të sezonit, në fushën e Bruklin Netsave. Nënkampionët në fuqi të NBA-së ia dolën 113-107 edhe pse ishin përballë njërës prej skuadrave më të talentuara në Amerikë, të krijuar me shpenzime të mëdha, po ashtu si Los Anxhelos Lejkërsat. Yjet e Feniksit, Devin Buker e Kris Pol fituan duelin me kampionët e mëdhenj vendas, Kevin Durant e Xhejms Harden. Bukeri shënoi 30 pikë, ndërsa Pol shtoi 22 pikë, 8 topa në tabela e 5 asistë. Ata u ndihmuan nga Brixhs, Ajton dhe Mekgi.
Duranti nuk është se luajti keq, shënoi 39 pikë si dhe pati 9 topa në tabela e 7 asistë, plus 4 vjedhje topi. Gjithsesi, Harden nuk e mbajti dot ritmin e kapitenit duke shënuar vetëm 12 pikë, edhe pse pati tripëll dabëll me 13 topa në tabela e 14 asistë. Për Feniksin kjo ishte fitorja e 16-të radhazi në sezonin e rregullt, duke qenë ekipi i dytë më i mirë për momentin pas Golden Stejtit. Skuadra nga Arizona jo më kot është nënkampione në fuqi e NBA-së dhe dëshiron që në plej of të arrijë një shkallë më lart, të fitojë titullin kampion.
Sfidanti.al