Ishin të shumtë në fushë dhe lanë gjurmë për ekipet e tyre. Shqiptarët u treguan protagonistë edhe këtë fundjavë në ligat europiane. Berat Gjimshiti shërbeu asistin e golit të shënuar nga Zapata, dhe që i dha Atalantës fitoren e parë në fushën e Juventusit në Serinë A që nga viti 1989. Po në Itali, Nedim Bajrami shërbeu të dy asistet për golat që përmbysën rezultatin në favor të Empolit ndaj Fiorentinës. Përballja e Serisë A përfundoi 2-1 dhe asistet e mesfushorit të kombëtares erdhën në minutat 87 e 89. Në Angli, Armando Broja pati një pasdite të vështirë në fushën e Liverpulit, ku Sauthemptoni u mund 0-4 për Premier Ligën. Gjithsesi, rëndësi ka që sulmuesi i kombëtares ishte titullar dhe ndër të paktët që rrezikoi vendasit.
Në Hungari ishte dita e Jasir Asanit. Ish-sulmuesi i Partizanit shënoi dy golat e parë në fitoren 5-0 që Kishvarda arriti në fushën e saj ndaj MTK-së së Budapestit. Suksesi, falë edhe golave të Asanit, bëri që Kishvarda të jetë në vendin e dytë në Superligën hungareze. Xhakomo Vrioni shënoi dy gola të tjerë në Bundesligën austriake, në fitoren 3-0 të Tirolit në fushën e Altahut. Sulmuesi shqiptar është i dyti në renditjen e Këpucës së artë me 9 rrjeta.
Mbrojtësi i kombëtares, Albi Doka, ishte i rëndësishëm në Ligën e Parë të Kroacisë, duke shërbyer asistin e golit të vetëm për Goricën në fushën e Hrvatski Dragovoljacit, shënuar nga Lovriç. Fitorja e ndihmoi Goricën që të jetë në vendin e pestë. Dejvi Bregu ndërkaq vazhdon formën në Ligën e Parë të Turqisë, duke shënuar me 11-metërsh në fitoren 3-1 të Bolusporit ndaj Ejupsporit, sukses që bëri që ekipi të largohej nga vendi i fundit. Anis Mehmeti, lojtar i Shpresave, po kalon moment të mirë në kategorinë e tretë angleze me Uajkombin. Ai shënoi golin e parë në barazimin 2-2 në fushën e Shefild Uensdit, ndërsa ka 3 gola e 1 asistë në 4 ditë.
Sfidanti.al