Prag Real-Çelsi, a do t’i afrohen anglezët mrekullisë që provoi Juventusi në 2018?!

Kjo skuadër thuajse e ka provuar dështimin edhe në kushte të tilla. Reali nuk është kot skuadra numër 1 e Europës, për të pasur përvojën se në Champions asnjëherë nuk thuhet “kurrë”. Ndërsa jemi në prag të ndeshjes së kthimit me Çelsin, madrilenët e mbajnë mend se për pak u eliminuan nga Juventusi edhe pse fituan 3-0 në Torino në ndeshjen e parë. Italianët u larguan vetëm në sekondat e fundit me triumfin 3-1. A thua se edhe këtë herë do të vihet në rrezik të madh fitorja e bujshme 3-1 në “Stemford Brixh”?

Në kompleksin sportiv në “Valdebebas”, spanjollët nuk janë përgatitur me mendimin e disfatës, përkundrazi. Nuk mund të ndodhë ndryshe me një ekip 13 herë kampion të Europës. Trajneri Karlo Ançeloti do të ketë sërish në ekip mbrojtësin Mendi, Modriç e Kros janë të shlodhur sepse nuk luajtën në fundjavë. Mungesë është mbrojtësi Militao i pezulluar, si dhe Hazar e Isko të dëmtuar, por heroi Karim Benzema do të jetë në fushë.

“E gjithë bota duhet ta dijë se kjo ndeshje do të jetë tepër e vështirë, – u shpreh italiani, – edhe tifozët duhet ta dinë që do të luftohet deri në fund, pavarësisht nga rezultati i ndeshjes së parë. Duhet të luajmë një ndeshje të kompletuar, duke e ditur shumë mirë që do të na duhet të vuajmë për 90’. E qartë se duhet të përsërisim paraqitjen që bëmë në ndeshjen e parë”.

Londinezëve u kthehet në ekip kapiteni Azpilikueta, një ndihmë për mbrojtjen, por Lukaku mbetet jashtë për shkak dëmtimi, dhe Barkli është i sëmurë. Çiluell dhe Hadson-Odoi janë të dëmtuar për një kohë të gjatë. “Çfarë shansi? – tha gjermani në formë pyetjeje, – besoj se nuk kemi shanset më të mëdha të mundshme. Ndikon ndeshja e parë, niveli i turneut dhe i kundërshtarit, stadiumi ku luajmë. Gjithsesi, ne nuk e bazojmë paraqitjen tonë tek shanset. Ne kemi detyrë që të japim maksimumin. Nuk është shumë e mundshme që t’ia dalim, por ia vlen që ta provojmë”. Çelsi e rriti moralin me fitoren 6-0 në fundjavë në fushën e Sauthemptonit në Premier Ligë, ndonëse gjithkush e di se është krejt tjetër gjë të luash ndaj Realit, aq më tepër në Madrid.

Sfidanti.al