Ajo që ndodhi javën e kaluar po peshon jashtë mase. Barcelona u mund në “San Siro” nga Interi duke vënë në rrezik kualifikimin, dhe sfida e kthimit që luhet sonte është padyshim vendimtare. Fitorja nuk do t’u japë katalanasve kualifikimin, por nëse nuk arrihet është thuajse e sigurt që ekipi i trajnerit Ksavi Hernandez do të mbetet në klasë, që në grup. As ajo që ndodhi në fundjavë në La Ligë, nuk dha shumë shpresë, një fitore e vuajtur dhe madje e pamerituar ndaj Seltës në Katalonjë. Barça ka shumë mungesa si Bejerinin, Arauhon, Depain, Kundenë apo Kristensenin, por kthehet De Jongu. Ksavi i bën thirrje publikut.
“Mendoj se tifozët e kanë kuptuar, – thotë ai, – e di se do të jenë të shumtë në stadium. Shpresoj që “Kamp Nou” të jetë nesër tepër i zjarrtë. Ne do të bëjmë gjithçka që ata të ndihen krenarë. Është një ndeshje vendimtare, një finale e vërtetë. Kemi bërë gabime në ndeshjet jashtë fushe, na duhet të fitojmë në shtëpi. Do të duhet që zemërimin që patëm nga sfida në “San Siro” ta shprehim në fushë”.
“Rëndësi ka vetëm që të fitohet, – kërkon e përditshmja katalanase “Sport”, – duhen tri pikët për të mbetur ende gjallë në Champions!” Në Itali komentojnë: Barça-Inter, pesha e historisë, Inzagi bëj si Murinjo! Ish-ylli zikaltër, Snejder, thotë: Inter, bëj siç e bëmë ne!
Trajnerit Inzagi iu tha në konferencëe për shtyp se momenti është që Interi të bëjë një kërcim në një nivel më të lartë. “E dimë, – thotë Inzagi, – ndeshjen e parë e shfrytëzuam siç duhet, duke reaguar pas humbjes me Romën. Kjo sfidë është shumë e rëndësishme për kualifikimin. E dinim që duhej të bënim gjëra të jashtëzakonshme që kur mësuam shortin me Bajernin e Barcelonës. Tani është në lojë fati ynë. E dimë se do të jetë e vështirë, por jemi Interi”.
Interi ka probleme me dëmtimet sepse Dalbert, Brozoviç apo Korrea janë jashtë, ndërsa Lukaku më në fund kthehet në ekip, por e nis nga stoli, ashtu siç pritet të ndodhë edhe me Kristjan Asllanin.
Sfidanti.al