Kishte kohë që nuk kishte ndodhur një “kataklizmo” e tillë. Seria A duket se po kthehet në vitet e saj më të errëta, pikërisht atëherë kur u duk se Juventusi po e ngjiste në “Panteon” me blerjen e Kristiano Ronaldos. Mesjava e fundit ishte me plot gojën, e zezë, për klubet italianet.
Në vetëm tri ditë, ata pësuan pesë humbje, morën vetëm një barazim, dhe patën 3 skuadra të eleminuara. Milani humbi në Ligën e Europës dhe u eleminua, Lacio e pësoi në shtëpi, edhe pse kaloi turin. Në Champions, dy disfata më shumë turpëruese sesa që prishin punë, me Juventusin dhe Romën që morën “dajak” nga rivalë shumë më modestë, si Jang Bojsi dhe Plzenji. Pikën e vetme e siguroi Interi, por ç’e deshi? Zikaltërit u eleminuan në favor të Totenhemit, pas 1-1 në “San Siro” ndaj PSV Ajndhovenit.
Në renditjen e FIFA-s, ëndrra ishte për të kaluar Anglinë në vendin e dytë, por tani duhet të ruajnë shpinën nga Gjermania e vendit të katërt, që ka Bajernin, Dortmundin e Shalken në Champions, si dhe Frankfurtin e Leverkusenin në Ligën e Europës.
Sfidanti.al