Partizani, Laçi e Vllaznia: Sërish mrekulli shqiptare në Europë!

Edhe vitin e kaluar pati sukses, e duket se po krijohet një traditë. Skuadrat shqiptare e kalojnë tashmë turin e parë eleminator në kupat e Europës, siç ndodhi me Partizanin, Laçin e Vllazninë në Ligën e Konferencave. Bashkë me ta, do të bashkohet në turin e dytë edhe Teuta e Durrësit që u eleminua nga Championsi. Për Partizanin shkruam më parë që kaloi 3-2 në Moldavi ndaj Sfintul Georges, ndërsa kishte fituar 5-2 në “Elbasan Arena”.

E pasuan dy ekipet e tjera që e patën shumë më të vështirë, ndaj edhe kualifikimet ishin tepër emocionuese. Laçi mundi 3-0 Pogdoricën e Malit të Zi, pas humbjes 0-1 në ndeshjen e parë, dhe kjo ndodhi pas kohës shtesë. Deliu shënoi në 60’, dhe në kohën e parë shtesë dyfishoi Lushkja. Në 114’, ekipi i trajnerit Duro arriti në 3-0 me gol të Fatmir Prengajt. Edhe më e vështirë për Vllazninë që ishte mundur 1-3 në Bosnjë-Hercegovinë nga Shiroki Brijeg. Shkodranët nuk shënuan dot në pjesën e parë, duke pasur të pezulluar edhe trajnerin Brdariç, por realizuan radhazi, në 46’ me Fahrudin Durdeviçin, pastaj me Eni Imanin në 62’ dhe sërish me Durdeviçin në 78’.

Në raundin tjetër, me ndeshjet në datat 22 e 29 korrik, Partizani luan me Bazelin me ndeshjen e parë në Zvicër, Vllaznia e nis në fushën e AEL-it të Limasolit të Qipros dhe Laçi në fushën e Universitateas së Krajovës së Rumanisë. Teuta pret bnë shtëpi Inter Klub d’Eskalantes të Andorrës.

Sfidanti.al