Perezi mund të jetë kërcënuar me 10 milionë euro, por çfarë thotë për Butragenjon e Miçelin?!

Sipas presidentit të sotëm të Realit, shumë prej atyre që kanë qenë emra të mëdhenj në “Santiago Bernabeu” duhet të jenë patjetër njerëz të këqinj, egoist dhe të cilët duhen larguar sa më parë. Pasi shfreu ndaj Raulit e Kasijasit, Murinjos e Ronaldos, e pasi denigroi Del Bosken, Florentino Perez nuk paska lënë pa gjë as legjendat e vjetra të viteve 80-të si Emilio Butragenjo dhe Miçel. Po ashtu edhe Manuel Sançizin apo Martin Vaskezin. “Këta tipa duan të fitojnë 100 milionë në vit, nuk janë të kënaqur me 50 milionë, – thotë ai, në bisedat e përgjuara, – ata duan që sa të jenë gjallë, të paguhen nga Reali”. Po ashtu, Perezi deklaronte se Miçel është një trajner shumë i keq, ndërsa besonte se Bernd Shuster ishte një trajner i mirë. Skandali vazhdon të zgjerohet, edhe pse numri 1 i Realit mund të ketë të drejtë kur thotë se media që botoi përgjimet, fillimisht i bëri presion për t’i dhënë 10 milionë euro që t’i zhdukte përgjimet. Me të drejtë, Perezi nuk e pranoi këtë marrëveshje.

Sfidanti.al