Nuk e ka bukurinë e Barçës “tiki taka”, por le ta pranojmë: Ky është momenti i Realit!

Ka periudha kur një skuadre i shkon gjithçka siç duhej, apo siç thuhet “i shkon fjollë”, “era fryn në drejtimin e saj”, e “gjithçka prek kthehet në ar (gol)”. i tillë Reali i Madridit i Karlo Ançelotit që po i afrohet fundit të një viti 2022 të jashtëzakonshëm. Pasi sezonin e kaluar fitoi Championsin dhe La Ligën, këtë edicion po vazhdon me sigurinë dhe klasin e lojës, siç e tregoi fitorja krejtësisht e merituar 3-1 në “El Klasikon” ndaj Barcelonës, dhe suksesi i mbrëmshëm 3-0 në fushën e Seltës gjithashtu në La Ligë duke qenë tani në krye me 6 pikë më shumë se katalanasit edhe pse me një ndeshje më shumë.

Dy ditë pas “Mbrëmjes Gala” të Topit të Artë fituar nga Karim Benzema, madrilenët u dukën të pandalshëm. Edhe pse arbitri me anë të VAR-it i anuloi 3 gola, sërish “merengesit” shënuan 3 të tjerë. Epërsia në Vigo nuk ishte kaq dërrmuese, pasi skuadrat gjuajtën thuajse njësoj drejt portës, por Reali ka yjë më të mëdhenj dhe golat u shënuan nga Valverde, Benzema e Marko Asensio. “I kam thënë Ançelotit se dua të kaloj shifrën e 10 golave, – tha Valverde, – po përpiqem që t’ia dal sa më parë”. Reali i sotëm ndoshta nuk e ka bukurinë dhe “sharmin” e Barcelonës së Mesit e Guardiolës, por gjithsesi duhet ta pranojmë se kjo është koha e Madridit.

Sfidanti.al