Cili është rivali më i fortë i Çelsit këtë sezon në Angli? Shumë emra ishin kandidatë javë pas jave, si Arsenali, Liverpuli apo Totenhemi, por aktualisht këtë rol e ka marrë Mançester Siti. Edhe pse trajneri i vet, Pep Guardiola, është kritikuar “rëndshëm” se nuk e kupton mirë futbollin anglez, sërish fitorja 2-0 në fushën e Bornemuthit bëri që “Qytetarët” të ngjiten në vendin e dytë, me 8 pikë më pak se blutë e Antonio Kontes. Nëse do të fitohet edhe ndeshja direkte në “Stemford Brixh”, virtualisht do të ishim në -5 pikë, pra një distancë në të cilën mund të pretendohet titulli kampion.
Rahim Stërling në minutën e 29-të shënoi golin e parë jashtë fushe, ndërsa një autogol i Tajron Mingsit (aksion sërish i Stërlingut) ishin momentet pikante të takimit të javës së 25-të të Premierit. Guardiola e nisi ndeshjen me Gabriel Zhezusin në fushë, ashtu si dhe Stërlingun, David Silvën, Kevin De Brujnin dhe Leroi Sanenë, me skemën 4-1-4-1 ku Jaja Ture lidhte mbrojtjen me sulmin. Dëmtimi i Zhezusit i dha shansin Agueros që në minutën e 15-të dhe argjentinasi ishte ai që goditi topin për golin e dytë, devijuar nga Mings. Fitorja bëri që Siti të ngjitet në kuotën e 52 pikëve, dy më shumë sesa Totenhemi dhe Arsenali, dhe 3 më shumë se Liverpuli.
Sfidanti.al