Françesko Toti si Kobi Brajant, e duan tifozët e gjithë Italisë!

Nuk dihet nëse do ta kishin bërë edhe ata të Juventusit apo Lacios, por gjithsesi, një si Françesko Toti vërtet “ha bukë veç” në futbollin italian. Gjigandi i Romës, edhe pse “i rënë nga vakti”, u nderua si pak të tjerë nga tifozët ultras të Milanit, në përballjen e kuqezinjve me verdhezinjtë në “San Siro”. Një parullë e madhe u shpalos nga të zjarrtët e vendosur në Tribunën e Jugut, ku shkruhej “Jugu nderon rivalin Françesko Toti”.

Pak fjalë, por shumë domethënëse në këtë botë të futbollit ku urrejtja është më e madhe se dashuria, dhe ku rivaliteti arrin deri në skaj. Toti i falenderoi tifozët kundërshtarë që nga stoli i rezervave ku ka përfunduar, si dhe nga pjesa anësore e fushës ku bëri disa minuta nxemje për të qenë gati nëse do t’i duhej trajnerit Spaleti.

Ky mund të jetë viti i fundit i 40-vjeçarit në Serinë A, besohet i fundit patjetër me Romën, dhe ai po zhvillon një turne lamtumire, ashtu siç bëri vjet Kobi Brajant, kur mbylli karrierën në NBA. Toti ngjan edhe me Andres Iniestën, kampionin e madh të Barcelonës, që e do e gjithë Spanja, pasi shënoi golin e fitores ndaj Holandës, në finalen e Kupës së Botës në vitin 2010.

Sfidanti.altoti san siro