E kishte menduar se do ta kishte humbur këtë ndeshje, dhe se seria prej 25 takimesh pa humbje e skuadrës së tij do të merrte fund. Gjithsesi, Zhoze Murinjo u përpoq deri në fund që kjo të mos ndodhte, edhe pse ngjau gjithsesi. Arsenali mundi 2-0 Mançester Junajtidin dhe Arsen Venger për herë të parë arriti një fitore ndaj Murinjos. Pas 13 vjetësh! Trajneri portugez, pikërisht për këtë arsye, e quajti normale që të tallej me kundërshtarin.
“Më në fund unë largohem nga ky stadium me tifozët e Arsenalit, të lumtur, – tha Zhoze pas ndeshjes, – ata janë të lumtur dhe unë jam i lumtur pë rata. Është hera e parë që unë largohem dhe i lë të lumtur, ndërsa unë jam i lumtur për ta, sepse Arsenali është një klub i madh”. “Kur largohesha nga stadiumi “Hajbër”, ata qanin, kur largohesha nga “Emirejts” ata sërish qanin, duke ikur me kokën ulur, por sot janë të lumtur”.
Murinjo theksoi se nuk ishte aspak i lumtur që një klub i madh si Arsenali nuk fitonte trofe, ndërsa vlerësoi se Arsen Venger është një trajner i madh, aspak i vogël, por tha se francezi kishte një të metë: “Ai përherë ushtron presion ndaj gjyqtarit të katërt, përherë”!