Radamel Falkao ndodhet në formën e tij më të mirë në Monako, ndërsa i ka lënë mbas vetes dy sezonet e tmerrshëm me Mançester Junajtidin dhe Celsin dhe, në shoqërinë e lojtarëve të tillë, si Kilian Mbape, Fabinjo, Bernard Silva dhe të të tjerëve, ndodhet në prag të suksesit të madh në kampionatin e Francës. Nuk duhet të harrohet se Monako ka realizuar një sezon mjaft të suksesshëm edhe në Ligën e Kampioneve, ndërsa tani ndodhet në gjysmëfinale të saj, pavarësisht se, mbas humbjes së ndeshjes së parë nga Juventusi, shanset janë të vegjël, por, sidoqoftë, ky ekip nuk dorëzohet.
“Ne ndodhemi në një situatë të vështirë, shanset për në finale, vetkuptohet, se janë të vegjël, por, deri sa ato ekzistojnë, ne do të luftojmë deri në fund. Kemi përpara një sfidë të madhe dhe ne do të japim gjithçka nga vetja. Por edhe në rast se nuk do të arrijmë, ne do të largohemi nga Liga me kokën lart, krenarë, pasi zhvilluam një sezon të shkëlqyer në Ligën aktuale të Kampioneve”, theksoi Falkao në intervisën e tij në Foks Sport, ndërsa bëri edhe një krahasim mjaft realist, kur u pyet se cili lojtar është më i miri në botë, Lionel Mesi apo Kristiano Ronaldo? “Unë mendoj se nuk mund të bëhet një krahasim i thjeshtë. Ne jemi të bekuar që kemi mundësinë të luajmë në një kohë me këta lojtarë, pasi bëhet fjalë për lojtarë që kanë dhjetë vite në krye të futbollit. Ata kanë cilësi krejt të ndryshme nga njëri-tjetëri si individë. Mesi është një talent i pastër, kurse Ronaldo është një makineri!”, vuri në dukje Falkao.
Sfidanti.al