Dortmundi i Terziçit “fluturon lart”, mund Lajpcigun kryeson Bundesligën!

Zvezdan Terziç nuk u mor ndoshta shumë seriozisht kur u ul në stolin e Borusias së Dortmundit, ku dikur ishin gjigandë si Otmar Hicfeld dhe Jurgen Klop. Gjithsesi, trajneri me origjinë boshnjake po i detyron të gjithë që të ndryshojnë mendje për të. Verdhezinjtë janë, të paktën përkohësisht, në krye të Bundesligës, dhe kjo është diçka e jashtëzakonshme kur mendojmë se po rivalizojnë me Bajernin. Bavarezët kanë fuqi financiare nja tri herë më shumë sesa Dortmundi dhe vlerë e përvojë sportive shumë herë më të madhe, por gjithsesi këtë sezon kjo nuk po duket.

Borusia fitoi 2-1 në “Signal Iduna Park” në sfidën direkte për titull ndaj Lajpcigut në javën e 23-të të kampionatit. Kapiteni Marko Rojs me penallti dhe Emre Xhan shënuan fillimisht për vendasit, ndërsa Emil Forsberg ngushtoi shifrat pas pushimit, por pa shmangur humbjen. Dortmundi ka 49 pikë ndaj 46 të Bajernit që ka një ndeshje më pak, ndërsa ende nuk bëhet krahasim me golaverazhin, që bavarezët e kanë +43, ndërsa ekipi i Terziçit +19!

Sfidanti.al