Bufon flet për të ardhmen, Championsin, Donarumën dhe Alegrin

Do ta mbyllë apo jo karrierën në fund të këtij sezoni, Xhixhi Bufon? Me kombëtaren po, e ka kyçur tashmë derën, por tek Juventusi kanë ende shpresë, ndonëse ia kanë gjetur pasardhësin. “Dua të fitoj Championsin, – thotë portieri 40-vjeçar, – nëse ia dal këtë vit, do të luaj edhe një sezon tjetër, ndryshe do ta mbyll në maj”. Karriera u sqarua, por tashmë duhet të dihet pasardhësi.

Masimiliano Alegri thotë se Shezni është pasuesi natyral i legjendës së portës, por vetë Bufon ka edhe një mendim tjetër. “E këshilloj Donarumën që të vijë tek Juventusi, – shprehet ai, – nëse do të bëjë këtë zgjedhje, të jetë i sigurt se nuk do të ketë bërë asnjë gabim”. Një mesazh që të kujton atë të Avokatit të ndjerë, Xhani Anjeli, kur i thanë se i penduari i Mafies, Tomazo Busheta, ishte tifoz me Juventusin. “I thoni Bushetës se kjo është diçka për të cilën nuk duhet të pendohet”, – tha Avokati.

Së fundi, Bufon, flet për trajnerin e tij, Alegrin. “Është një fenomen, – pohon portieri, – unë vetë nuk kam ndërmend të bëhem kurrë trajner, por nga Alegri do të merrja kthjelltësinë e mendimit dhe guximin shpesh të çmendur, që e shoqërojnë në momente të caktuara për të bërë zgjedhje të rrezikshme dhe të vështira”.

Sfidanti.al