Eleminimi do të kushtonte shtrenjtë nga ana financiare, dhe kjo ka shumë rëndësi për në klub me borxhe mbi 1 miliardë euro. Kuptohet, nëse do të fitonte nja 20 milionë euro nga kalimi i raundit të parë në Champions, nuk është se do të ndryshonte shumë bilanci financiar i Barcelonës, por gjithsesi kalimi i raundit është detyrim, edhe pse duket shumë i vështirë për t’u arritur. Katalanasit luajnë në fushën e tyre ndaj Dinamos së Kievit, një përballje që teorikisht mund të fitohet, por që një ekip i çoroditur edhe mund të mos dijë ta luajë. Kun Aguero veçon Ansu Fatiun si njeriun e momentit në “Kamp Nou”.
“Fatiut i shkon shumë mirë numri 10, – thotë sulmuesi argjentinas, – ai po luan shumë mirë dhe ka një talent të veçantë. Ai është i ri, ka nevojë ende të rritet, por që tani mund të bëjë gjëra të mëdha”. Fati ndihoi ekipin në fitoren 3-1 ndaj Valencias që ndryshoi humorin në La Liga, ndërsa tani shpresohet të bëjë mrekulli edhe në Champions. “Ne duhet të fitojmë, – thotë Kuni, – sepse nëse nuk e bëjmë praktikisht jemi jashtë”. Edhe trajneri Kuman theksoi se “po luajmë për fatin tonë, ndeshja me Kievin është vendimtare”.
Sfidanti.al