Inzagi: Kënaqem duke parë këtë Inter, por duhen më shumë gola

Nuk dihet sesa e madhe mund të jetë ndjenja pozitive për këtë fitore në Ligën e Kampionëve duke pasur parasysh humbjen e hidhur në Serinë A me Lacion. Interi ia doli 3-1 në “San Siro”, ndonëse ndaj një rivali në letër modest si Sherifi i Tiraspolit që e ka tejkaluar shumë vetveten që kur është kualifikuar në fazën e grupeve. Këtë e vlerëson trajneri zikaltër, Simone Inzagi. “Kënaqem duke parë këtë Inter, – thotë ai, – ne luajmë futboll sulmues, ishim skuadër dhe krijuam shumë raste. Gjithsesi, edhe pse patëm një lojë shumë të mirë, duhet të përmirësohemi. Të shënojmë më shumë gola, dhe të bëjmë më pak gabime në mbrojtje”. Inzagi kërkon më shumë pjekuri nga Interi (“të kuptojmë se kur nuk duhet gabuar”), por kjo mund të vijë vetëm me kohën. Zikaltërit ende nuk e kanë të lehtë kualifikimin në Champions, por gjithsesi, janë më pranë dhe vetëm po ta kalojnë turin do të kenë më shumë eksperiencë.

Sfidanti.al