Klop: Dramë e garantuar kur luajnë Atletiko e Liverpuli!

Liverpuli e pati shumë të vështirë ndaj Atletikos në Champions, ndonëse shënoi shpejt dy gola, por trajneri Jurgen Klop vlerësoi sidomos spektaklin që u dha në fushë. Suksesi 3-2 i të kuqve u arrit me shpirt ndër dhëmbë, falë kartonit të kuq të Antuan Grizmanit, autorit të dy golave për vendasit, ndërsa në fund, arbitri dha penallti për madrilenët, por VAR-i ua hoqi. Një dramë apo jo? “Po, e tillë ishte, – tha Klopi, – kur këto dy skuadra takohen, drama është e garantuar. i përgëzoj lojtarët e mi sepse nuk është e lehtë të shënosh 2 gola në 13 minuta ndaj Atletikos, por ndonjëherë mendja mund të bëhet armiku yt më i keq. Ne e keqkuptuam tërësisht atë moment dhe e paguam. Gjithsesi, në fund e merituam fitoren”.

Trajneri i Atletikos, Simeone, nuk deshi të bënte polemika. “Jam i lumtur me reagimin e ekipit, – tha Simone, – sepse kishim përballë Liverpulin dhe pësuam shpejt dy gola. Sa për vendimet e arbitrit, ato ndodhën. Herën e kaluar në Milano ishin në favorin tonë, ndërsa këtë herë kundër nesh”.

“Atletiko e vendos veten në telash, – shkruan “Marka”, ndërsa lavdërimi është për Realin: Një vepër arti në Kiev!”

“Atletiko bie viktimë, – është titulli i “AS”-it, – VAR-i i heq barazimin! Reali është i papërballueshëm me Vinisiusin e Rodrigon!”

Sfidanti.al