Pas Lykas Hernandezit vjen radha e Benzemasë për të provuar burgun!

Nuk është se është marrë ndonjë vendim, ndërsa gjyqi sapo ka filluar. Flasim për skandalin e mundshëm që përfshin sulmuesin e Realit të Madridit dhe të Francës dhe ish-shokun e tij në kombëtare, Matjë Valbuena. Historia ka nisur që në nëntor 2015, kur akuzat u bënë publike dhe Karim Benzema u përjashtua nga kombëtarja e Francës, i akuzuar se kishte ndihmuar që të shantazhohej Valbuenaja. Akuzat janë që një shok i Benzemasë i bëri shantazh lojtarit tjetër të Francës, se do t’i botonte një video seksuale që mund ta dëmtonte, dhe se kërkonte para për të mos e bërë këtë gjë. Benzema akuzohet se ka ndihmuar shokun e tij të fëmijërisë që të realizojë kërëcënimin, ndoshta duke komunikuar direkt me Valbuenanë. Vetë ylli i Realit, i kthyer pas 6 vjetësh në kombëtare, nuk u paraqit në gjyq, ndërsa sipas ligjit ai rrezikon deri në 5 vjet burg. Një histori edhe më e rëndë sesa ajo e lojtarit tjetër të kombëtares së Francës, Lykas Hernandez (sot tek Bajerni), i cili është dënuar me 6 muaj burg për dhunë ndaj ish-bashkëshortes.

Sfidanti.al