Bajerni e paska ndarë mendjen ta largojë Sadio Manenë!

E cilësuan një klas botëror. Kështu ishte vlerësimi i drejtuesve të Bajernit për Sadio Manenë, ndërsa e prezantuan verën e kaluar pasi i paguan 32 milionë euro Liverpulit, veçse sot situata është plotësisht e përmbysur. Në Mynih po mendojnë që t’i japin duart sulmuesit nga Senegali, vetëm pas një sezoni, ndërsa ngjarjet që ndodhën së fundmi duket se nuk kanë lënë zgjidhje tjetër. Mane goditi me grusht shokun e ekipit, Leroi Sane, pas humbjes 0-3 në fushën e Mançester Sitit në Champions, pas një acarimi që patën në fushën e lojës. Nervozizmi u kap nga kamerat, ndonëse jo me cilësi shumë të lartë, ndërsa goditja me grusht ndodhi në dhomën e zhveshjes së stadiumit “Etihad”.

Gazetari Florian Pletenberg raporton se bavarezët do ta largojnë 31-vjeçarin në qershor kur t’i përfundojë kontrata, pasi e pezulluan një ndeshje dhe e gjobitën me 300 000 euro. Po ashtu, Pletenbergu tregon një shaka që po përdoret rëndom në Mynih, ndoshta edhe brenda klubit, në të cilën thuhet se “tek Bajerni nuk erdhi Sadio Mane i vërtetë, por vëllai i tij binjak”. Senegalezi shënoi 6 gola e shërbeu 3 asistë në 14 ndeshje derisa erdhi dëmtimi i pësuar ndaj Verderit, ndërsa ai është hija e vetvetes që pas kthimit në fushë. Nga 26 shkurti, ku u aktivizua ndaj Bohumit, e deri sot Mane nuk ka shënuar asnjë rrjetë, as në Bundesligë, as në Champions dhe as në Kupën e Gjermanisë.

Sfidanti.al