Bajern-Mane, ky mund të jetë binomi fitues në Gjermani dhe Europë!

Sulmuesi senegalez luajti ndeshjen e parë zyrtare për ekipin e tij të ri, shënoi golin e parë dhe fitoi trofeun e parë. Sadio Mane ishte gjithçka që kishin ëndërruar tifozët e Bajernit dhe trajneri Julian Nagelsman, një sulmues me talent dhe personalitet të madh, dhe mjaft inteligjent për t’u përshtatur shpejt me shokë të rinj, trajner të ri dhe taktika të reja. Bajerni fitoi Superkupën e Gjermanisë, duke mundur 5-3 Lajpcigun në finale, e duke qenë 3-0 që në fund të pjesës së parë. Edhe pse janë larguar lojtarë si Zyle apo Levandovski, për momentin ekipi duket mirë, ndërsa priten edhe përforcime të tjera. Musiala, Pavar, Gnabri dhe Sane ishin autorët e rrjetave për kampionët.

Gjithsesi, ylli i mbrëmjes u duk Xhamal Musiala, pasi lojtari i ri i Gjermanisë tregoi talent të madh. Po ashtu, ishte kënaqësi që Sane dhe Gnabri luajtën mirë, ndërsa kapiteni Manuel Nojer bëri disa gabime, diçka që nuk është karakteristike për të. “Jam shumë i lumtur që shënova golin e parë për Bajernin, – tha Mane më pas, – ishte ëndrra ime. Kam besim se do të fitojmë tituj të tjerë”.

Bajerni (4-2-4): Nojer, Upamekano, Pavar, Hernandez, Dejvis, Kimih, Zabicer, Gnabri, Musiala, Myler, Mane.

Sfidanti.al