Guardiola për Halandin: Shqetësim? Aspak, herën tjetër ai do të shënojë!

Trajneri i Mançester Sitit ka të drejtë dhe nuk është normale që t’u japësh jehonë “fjalëve të pazarit” për sulmues të këtij niveli. E provoi Daruin Nunjez, që u kritikua për paraqitjet në miqësoret ndaj Man. Junajtidit dhe Salcburgut, ndërsa tani e ka radhën Erling Halandi. Sulmuesi 21-vjeçar norvegjez nuk arriti të shënonte ndaj Liverpulit në finalen e Superkupës së Anglisë duke qenë për 90 minuta në fushë, e madhe duke humbur një rast krejtësisht të pastër për gol. Në anën tjetër, Nunjezi po lavdërohet pasi shënoi dhe shërbeu asistin në vetëm rreth 35 minuta lojë. “Herën tjetër ai do ta fusë topin në rrjetë, pra çfarë problemi ka? – tha Guardiola, – nuk jam aspak i shqetësuar. Ai do të shënojë. Ai luftoi shumë këtë herë, dhe bëri lëvizje të mira. Kjo është mënyra e duhur për të njohur futbollin anglez dhe ai është i fortë psikologjikisht”.

Sfidanti.al