Fiorentina nxiton për Bajramin, duhen 10 milionë euro ose shkëmbi me Zurkovskin!

Disa nga lojtarët kuqezinj tashmë janë rregulluar për këtë sezon, ndërsa ai është në pritje. Nedim Bajrami mbetet futbollist i Empolit, dhe nuk është aspak keq sepse do të luajë edhe sivjet në Serinë A, por për të priten ndryshime. Fiorentina mbetet shumë e interesuar për mesfushorin e kombëtares shqiptare, madje sipas mediave në Apenine, marrja e tij do të ishte “qershia mbi tortë”. Klubi nga Firence mund të ishte i detyruar të paguante 10 milionë euro për kartonin e 23-vjeçarit, i cili ishte një nga më të mirët e Empolit edicionin e kaluar. Me 6 gola e 6 asistë vetëm në Serinë A, por edhe me shumë kontribut në Kupën e Italisë, Bajrami spikati fort dhe pati momente që e deshën edhe klube si Lacio apo Napoli. Fiorentina ka biseduar këto ditë me agjentin e futbollistit, Fali Ramadanin, që është shqiptar nga Maqedonia e Veriut. Tashmë, pritet që trajneri Vinçenco Italiano të bëjë zgjedhjen përfundimtare, e duket se mund të ndodhë një shkëmbim mes Bajramit dhe polakut Shimon Zurkovski. Nëse transferimi do të ndodhë, 23-vjeçari do të ishte lojtari i dytë i kombëtares që do të largohej nga Empoli këtë verë, pas Kristjan Asllanit që shkoi tek Interi.

Sfidanti.al