Atalanta shemb Juven me Gjimshitin e Malinovskin, e parakalon!

Situata për kampionët është tashmë edhe më e vështirë, ndërsa një vend në Champions është tepër i rrezikuar. Juventusi u rrëzua në fushën e Atalantës, në një ndeshje që e luajti pa Kristiano Ronaldon, dhe me Paulo Dibalën që nga minuta e parë. Kthimi titullar i argjentinasit pas 98 ditësh, nuk solli fat, ndërsa prania e Berat Gjimshitit në ekipin vendas doli vendimtar pasi mbrojtësi i kombëtares së Shqipërisë largoi nga vija fatale një top të gjuajtur nga Morata. Tre minuta para fundit, Malinovski shtangu Juven duke shënuar golin e vetëm të sfidës, pas një devijimi të Aleks Sandros. Atalanta kishte 20 vjet që nuk fitonte ndaj “Zonjës së Vjetër”, dhe tani që e bëri edhe e parakaloi në renditje, duke pasur 64 pikë ndaj 62. Milani ka 66 pikë në vend të dytë, ndërsa Napoli ka 59 pa ndeshjen me Interin, kurse Lacio ka 58, gjithashtu me një ndeshje më pak.

Sfidanti.al