U duk si një lloj hakmarrjeje, dhe klubi e konfirmoi. Hansi Flik deklaroi se dëshironte të largohej nga Bajerni, dhe kjo gjë nuk u pëlqye aspak nga bavarezët, madje ata e shprehën qendrimin e tyre po publikisht.
Hansi Flik na ka informuar për dëshirën e tij, – shkruhet në deklaratën e klubit, – Fliku dhe Bajerni ranë dakord që të përqëndrohen tek ndeshjet e radhës, për të mos ndikuar për keq në sezon. Bajerni nuk është dakord me komunikimin e njëanshëm të Hansi Flikut dhe do të vazhdojë bisedimet siç është rënë dakord”.
Tekniku u shpreh hapur në përfundim të ndeshjes së fituar në fushën e Volfsburgut me shifrat 3-2, që bëri që bavarezët të shkëputeshin sërish në krye të Bundesligës, duke qenë tani 7 pikë para Lajpcigut të vendit të dytë. “Dua që të çlirohem nga kontrata ime në fund të sezonit – tha ai, – ky është një fakt. E ardhmja nuk është aspak e qartë. Unë thjesht shpreha një dëshirë. Unë jam shumë i lumtur me skuadrën”.
Pyetja më normale është se përse Fliku bëri publike diçka që ishte e brendshme? Kur një trajner aq serioz sa ai arrin deri këtu do të thotë se gjendja në klub është vërtet eksplozive. Prej kohësh është hamendësuar shumë për konfliktin mes Flikut dhe drejtorit sportiv, Hasan Salihamixhiç, aq sa mediat kanë komentuar se është e pamundur që këta të dy të vazhdojnë së bashku ne klub. Kriza financiare e shkaktuar nga koronavirusi ka luajtur rol, pasi trajneri ka qenë i pakënaqur me blerjet, por duket se Flik mendon se nuk është respektuar, dhe se ata kanë personalitete tepër të ndryshëm.
Ky sezon mori një goditje nga eleminimi në çerekfinale të Championsit nga Paris SG, por vështirë se një dështim i tillë mund të fshijë sukseset e jashtëzakonshme të sezonit të fundit. Nën drejtimin e Flikut, Bajerni fitoi 6 trofe edicionin e kaluar, që nga Championsi, Bundesliga, Kupa e Gjermanisë, dy superkupat dhe Kupën e Botës për Klubet. Trajneri pritet të marrë drejtimin e kombëtares gjermane, ndërsa bavarezët ende nuk kanë vendosur për pasardhësin.
Sfidanti.al