“Djemtë e detit” u rikthyen në krye të Superligës shqiptare pas suksesit minimal 1-0 në stadiumin e Skënderbeut. Një gol i Devi Bregut me penallti në 44’ ishte gjithçka që prodhoi ndeshja, dhe me këtë sukses, Teuta u ngjit në 52 pikë, dy më shumë sesa Partizani e Vllaznia që e ndjekin. Me gjasë, Skënderbeu i Migen Memellit, që triumfoi papritur 2-0 ndaj durrsakëve në “Niko Dovana”, këtë herë ishte duke parë ëndrra me kupën, ku ndodhet në finale. Ndoshta fitohet trofeu dhe sigurohet kualifikimi në Europë, gjë që do t’ia ulte me një vit dënimin e UEFA-s. Të shohim nëse do të dalë kështu, por Shqipëria ka një veti që ëndrra të tilla shpejt bëhen realitet.
Në ndeshjen tjetër të orës 16:00, Laçi u kthye tek fitorja më në fund duke mundur 2-1 Bylisin. Deliu e Prenga shënojnë pak minuta pas nisjes së pjesës së dytë, ndërsa për mallakastriotët nuk bën punë goli i Ndrecës në 93’. Në orën 13:00, Vllaznia fitoi lehtë 6-0 në Fier ndaj Apolonisë ku shënuan nga dy herë Da Silva dhe Hoxhaj, e nga një herë Dilaver dhe djali i trajnerit Tomas Brdariç, Timi.
Java 28: Skënderbeu-Teuta 0-1, Laçi-Bylis 2-1, Apolonia-Vllaznia 0-6, Partizani-Bylis 3-1, Kukësi-Tirana 2-2.
Renditja: Teuta 52 pikë, Partizani e Vllaznia nga 50, Laçi 48, Tirana 43, Kukësi 36, Kastrioti 30, Bylis 26, Skënderbeu 23, Apolonia 17.
Sfidanti.al