“Lufta” Perez–Tebas dhe “paqja” e futbollit shqiptar…

Në Spanjë, prej shumë vitesh tashmë, Javier Tebas dhe presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, janë në një konflikt të hapur me njëri-tjetrin. Me pak fjalë: demokracia funksionon. Kur një president—qoftë federate apo klubi—tepron, mekanizmat zyrtarë, ligjorë dhe edhe ata mediatikë janë aty për ta rikthyer me këmbë në tokë, pavarësisht sa i fuqishëm mund të jetë ai në futbollin e vendit. Asnjëherë nuk ka zhvillim me “duar në allçi” apo me “yes man”, dhe ky është një rregull i pashkruar jo vetëm për sportin.

Në Angli, kjo çështje është e tejkaluar prej kohësh: klubet gëzojnë të drejta të barabarta brenda një shoqate që të kujton tryezën e rrumbullakët të Mbretit Artur. Federata ka kompetencat e saj, ndërsa Premier League vendos vetë për fatet e kompeticionit. Diçka e ngjashme ndodh edhe në Itali, Gjermani, Francë dhe shumë vende të tjera, ku klubet e kanë në dorë fatin e tyre. Vende që shpesh i admirojmë, por nga të cilat rrallëherë frymëzohemi për të bërë diçka të mirë për futbollin tonë.

Po tek ne çfarë ndodhi me projektin e shumëtrumbetuar për krijimin e një “federate” vetëm për klubet e Superiores? U reklamua me aq bujë, sa për një moment u miksua edhe me kërkesat për ligjin e sporteve. Siç e mbani mend, kjo përfundoi në një bojkot të famshëm që nuk solli asgjë të re. Përkundrazi, që prej asaj kohe kompetencat e FSHF-së u rritën edhe më shumë, ndërsa klubet u bënë të papërfillshme, madje të shantazhueshme. A mund ta imagjinoni në realitetin tonë një president si Refik Halili t’i “shtrëngojë dhëmbët” Armand Dukës? Sigurisht që jo, sepse sportivisht nuk kemi qenë kurrë në nivelin e Spanjës, Gjermanisë, Italisë apo Francës.

Nga Pirro Bardhyli