Detyrimet e prapambetura bëhen shpesh problem për klubet shqiptare, veçanërisht kur bëhet fjalë për lojtarët e huaj, të cilët nuk tolerojnë aspak. Ata ndjekin rrugët ligjore nëpërmjet FIFA-s dhe kjo e fundit më pas bllokon merkaton e klubeve tona deri në momentin që ata shlyejnë detyrimin përkatës.
Një situatë të tillë po përjetojnë aktualisht Vllaznia dhe Tirana. Ka kaluar vetëm 1/3-a e sezonit dhe menjëherë janë shfaqur problematikat e para financiare për dy nga klubet më të mëdha të Superiores. Më serioze çështja duket për Vllazninë, me disa çështja të humbura në FIFA.
Skuadrës që kryeson Superioren bashkë me Elbasanin, FIFA i ka bllokuar merkaton për tre sesionet e radhës, pasi rezultojnë tre gjyqe të humbura nga klubi kuqeblu me ish-lojtarët e vet.
Njëri nga këta lojtarë është kroati Marko Juriç, pjesë e Vllaznisë deri sezonin e kaluar. Për dy gjyqet e tjera të humbura nuk është e ditur se me cilët lojtarë kanë të bëjnë, por fakt është se Vllaznia nuk mund të afrojë asnjë lojtar deri në momentin që nuk ka shlyer detyrimet.
Merkaton të bllokuar e ka aktualisht edhe Tirana, qartësisht në një krizë të thellë të reflektuar edhe në tabelën e renditjes. Edhe kryeqytetasit nuk mund të bëjnë asnjë lëvizje në merkaton në hyrje pa larë më parë borxhet.
Për të forcuar skuadrat në merkaton e janarit, Vllaznia dhe Tirana duhet detyrimisht të shlyejnë borxhet brenda afatit të caktuar. Kjo vlen më shumë për shkodranët, të cilët kanë pretendime madhore këtë sezon, duan titullin kampion, kurse Tirana Lufton për mbijetesë.
sfidanti.al

